Tag Archives: poezi
Mrekullia edhe shpirti
Mund t’i falësh dikujt trupin
Zemër, duar, mish e thua,
Vjen një ditë e i merr prapa
Sepse thjesht i ke dhënë ”hua”.
Por gjëkund në dor’zon shpirtin
Sërish prapa nuk të vjen,
”Bota jote e padukshme”
Ky është shpirti… Më se gjen!
Mall
Ca pika shiu ranë mbi qelq.
Për ty unë befas ndjeva mall.
Jetojmë të dy në një qytet,
Dhe rrallë shihemi sa rrallë.
Edhe m’u duk pak e çuditshme
Si erdh kjo vjeshtë, ky mëngjes.
Qiejt e ngrysur pa lejlekë
Dhe shirat pa ylber në mes.
Trotuari i nostalgjisë
Pëshpërin sonte vetmia
Bashkë me gjethet hiqet zvarrë,
Trotuar, pllaka me vija
Heshtje, gjethe, trotuar.
Rrugë e gjatë e monotone
Hapa malli të pafund,
Zemra do ”destinacione”,
Kurse ti, nuk nxjerrë ”gjëkund”.
Bota e brendshme
Sytë flasin më shumë se fjala
e brenda tyre kish pikëllim,
Me anë të syve tregonte shpirtin
atë shpirt plot ngashërim.
E shihte botën krejt ndryshe
diçka të zezë si shpirti pa jetë,
e rrathët e syve ashtu të nxirë
mbi të tregonin një të vërtetë.
Kurbeti
Mitrua, kur u martua
ndënji një muaj me grua!
Erdhi dita për të ndarë
dhe u ndanë duke qarë!
Gruaja qënkej me barrë
dhe kur polli, bëri djalë.
Po Mitrua ku ish vallë?
Motëmot që qe larguar,
një kartë s’i kish dërguar!
Ku t’i shkruaj mëm’ e mjerë
për djalënë që kish lerë?
Tri vjet, katër, dhjetë shkuan!
Mitrua harroi gruan!
E varfëra se ç’pësoi,
të ritë vetëm e shkoi.
Ç’e deshi të tillë burrë,
që s’e pati pranë kurrë!
Gjith’ bota ven’ e vinë,
Mitrua harroi shtëpinë,
nuk e di që ka dhe djalë!
Rron a ka vdekur vallë?
Këto thosh grua e mjerë,
po burrit i mbajti nderë.
E zeza grua se ç’hoqi!
Humbi shpresën tek i shoqi:
kur pa ngrën’ e kur pa pirë,
punoi e rriti të birë.
Nëse ti më do fort
Nëse do më vrasësh, mua mos më ler
Të pres në këtë breg, krejt e vetmuar!
Nëse ti me do, eja me vrap më merr,
Më shtrëngo fort në krahët e tua!
Nëse nuk më do, më vrit menjëherë!
Apo ti kënaqesh kur më sheh si vuaj?
Oh, nga malli për ty, jam bërë pikë e vrer,
Heshtja jote e gjatë shpirtin ma ka coptuar.