Pa fjalë
Mbetem pa fjalë,
kur zhytem në mendime të thella,
e vështrimet nguliten diku,
kur sytë shohin realitetin,
imagjinojnë diçka tjetër
e arrijnë të vështrojnë edhe përtej largësive!
Po, mbetem pa fjalë,
kur ndryshe flet zëri i brendësisë,
se imagjinata mbetet imagjinatë
e realiteti ky që është!
Realitet që më bën të flas dhe përsëri hesht!
Mbetem pa fjalë,
sepse duhet të flasim e të kuptohemi,
të gjejmë gjuhën e përbashkët
e kur mendimet përputhen
gjërat mund t’i ndryshojmë,
por jo kur njeriu flet në vend të gabuar,
aty ku s’ka fuqi të ndryshojë asgjë,
aty ku s’e dëgjon asnjeri!
Mbetem pa fjalë
kur shikoj ku është ai që nuk e meriton,
që po e mban me dhunë atë që s’i takon!
Mbetem pa fjalë,
kur shoh se si njerëzit janë egërsuar,
kanë harruar t’i lumturojnë njerëzit rreth vetes!
Për ç’farë?
Për një ditë që asgjë s’do të kenë,
e s’do t’u duhet asgjë,
veç oksigjenit për t’i mbajtur gjallë në jetë?
Mbetem pa fjalë,
nga ky realitet që po na lë pa frymë,
kur i shoh njerëzit duke vuajtur në mjerim,
duke u endur e duke vrapuar si të marrë,
e disa të tjerë nuk dinë se ç’kërkojnë,
sa s’janë duke ngrënë njëri-tjetrin?!
Ku kanë humbur mirësitë,
që t’i rikthejnë buzëqeshjet në sytë e përlotur,
të gjithë e dimë nga buron lumturia,
e çdo ditë nga pak vret përditshmëria!
Mbetem pa fjalë,
kur e di se një ditë,
për të gjithë do të jetë vonë për gjithçka!
Poezi nga: Rudina Batku