E bardha dritë
July 23, 2015
Poezi Shqip
E bardha dritë,
zgjuar ujëvarave të shpirtit tim,
endur krahëve të zogut fluturim
si dikur…
paqyrim i jetës së rilindur trazim
si sot…
robuar vargjesh të dlirtë rrebelim.
E bardha shpresë,
farfurimë e jetës kolorit pa mbarim
telajo e hapur ngjyrash shkëlqim
e bukur
si ëndrrat e netëve pa kthim
shkrepëtimë,
e yllit të djegur përvëlim.
E bardha fjalë,
ngritur poltroneve të larta mendim
gdhendur orakujve të lashtë besim
derdhur,
valëmuzash dejesh poetikë
mbetur,
horizontesh përflakur perëndim.
E bardha jetë,
pasqyrë e copëzuar fatesh kryqëzim
det i thellë i brengave rrëmbim
si bora…
shkrirë rrezes së parë harbim
si gjethja…
përhumbur vjeshtës drithërimë.
Agron Shele