Pa fjale
Mbetem pa fjalë,
kur zhytem në mendime të thella,
e vështrimet nguliten diku,
kur sytë shohin realitetin
imagjinojnë diçka tjetër
e shikojnë përtej largësive!
Po, mbetem pa fjalë,
kur ndryshe flet zëri i brendësisë,
se imagjinata mbetet imagjinatë
e realiteti ky që është,
realitet që më bën të flas.
Mbetem pa fjalë,
sepse duhet të flasim e të kuptohemi,
të gjejmë gjuhën e përbashkët
e kur mendimet përputhen
gjërat mund t’i ndryshojmë,
por jo kur njeriu flet në vend të gabuar,
aty ku s’ka fuqi të ndryshojë asgjë,
e s’e dëgjon asnjeri,
aty ku do të jetë ai që s’është,
që do të arrijë me dhunë atë që s’i takon,
e do kërkojë diçka tjetër e tjetër!
Mbetem pa fjalë,
kur shoh se si njerëzit kanë harruar
t’i lumturojnë njerëzit rreth vetes.
Për ç’farë? Për një ditë që asgjë s’do të kenë,
e s’do t’u duhet asgjë,
që do të kërkojnë vetëm frymë për të qenë në jetë?
Mbetem pa fjalë,
nga realiteti që po na lë pa frymë,
kur i shoh njerëzit duke u endur,
duke vrapuar si të marrë,
duke mos ditur se ç’kërkojnë,
sa s’janë duke ngrënë njëri-tjetrin!
Ku janë mirësitë që duhet bërë,
e të rikthejnë buzëqeshjet tek të dashurit,
kur lumturia është në gjërat e vogla,
është në përditshmërinë.
Mbetem pa fjalë,
kur e di se një ditë për të gjithë
do të jetë vonë për gjithçka!