Të huaj
Përse u bëm’ si dy të huaj
Mos më pyet se nuk e di.
Ndoshta shpirtërat zjarrin shuajn’
Atëherë, kur vdes një dashuri.
Përse kur ëmbël vjen mëngjesi
Dëshiroj kujtimin tënd,
Shpirti i etur ç’mund të presi
Nga një dashuri që dhëmb!
Shpirti i etur zjarrin fiku
E rreth tij s’gjen “copa drush”,
Thua, dashuria iku?
Jo, se zjarri bëhet prush!
Vijnë kujtimet porsi era
Zjarrin ndezin prap në shpirt,
E merr ngjyra si pranvera
Ajo bojë e tij e hirtë.
Do të djegë, por sa do t’djegë
Për sa ditë zemrën do t’ngroh,
Do t’vijë ora hi do të mbesë
Do t’vijë ora, thjeshtë do kohë.
Më pas do t’fryjë kujtimi yt,
Mbi dashurinë e mbetur hi,
Ndoshta rrjedhin lotë nga sytë
Zemra s’ngrohet përsëri.
Ja përse u bëmë të huaj
Fjalët s’kanë dhe shumë rënd’si,
Në fund të fundit shpirti vuan
“Vazhdon jeta gjithsesi’’.
Poezi nga: Bledi Ylli