Flakët e ëndrrës
Një shkëmb i moçëm, në luftë me detin,
Që zogjtë shtegëtarë shkelin më rrallë,
Se tremb furtuna e as tërmeti,
Jam unë ai, të pres me mall.
Një trung jetim, nën hënë e diell
I tharë në rrënjë, pa degë të njoma,
Që nuk e mposhtë as dimri i thellë
Jam unë ai, të pres akoma.
Një stol në park, gjethesh mbuluar,
Shumë kohë në ‘të s’u ul njeri.
Që të humb ngjyrën ka filluar,
Të pret akoma… Jam unë ai!
Çudi, sa shumë që pret njeriu,
Pritjen bën ëndërr e ëndrën shpresë,
Digjet netëve porsi qiriu,
Dalëngadalë, gjer në mëngjes!
E të ndriçojë netët vijuese
Gjer në mbarim… Gjersa të vdesë!
Poezi nga Bledi Ylli