Shkëmbi
Ky shkëmb nga deti gjoksin e ka kthyer,
Dhe shpatullat në mal i ka mbështetur,
Qëndron si dëshmitar në bronz i lyer,
I heshtur me vështrim në shekujt tretur.
Mbi shpatullat tij gjëmuan shekujt,
Me shpata, bomba, mina e radarë,
Shtëllunga si në furkë mblodhën mjegujt,
Po prapë nga supet ranë, u hoqën zvarrë.
Në shark të shkëmbit, xhepave e palave,
Skifterët rriten zogj në gjenerata,
Po çerdhe s’ngriti kurrë tufë e galave,
Se maja është e lartë e ka shtrëngata.
Mbi shkëmb orkestra e erës zien me vite,
Vazhdon një simfoni e pambaruar.
Ai gjykon se ç’thonë meloditë,
Dhe ballin rrudh i heshtur, i menduar.
Poezi nga: Dritëro Agolli