Lermë të qetë
Mos mu afro, nëse më ke lënduar,
Zemrës të kam nxjerrë si ogur të keq,
zgavrës së gjirit zien llavë e pashuar,
në s’do që të të djeg, lermë të qetë!
Mos fol, nëse timbri zërit del djallëzuar,
nëse pabesisht, më thyen si degë,
pranoj shuplakën nëse kam gabuar,
aspak përuljen kur kam të drejtë.
Se dua varësinë, paktin e kushtëzuar,
s’dua të jem, pre robëreshe në rrjetë,
dhe pse egërsisht fluturoj zemëruar,
asgjë s’më zbut, nëse nuk dua vet.
Prej fluturimit qiellor, ti më ke rrëzuar,
m’i shkule pendët një nga një në krahë,
por, kur më shpoi shigjeta e helmuar,
acarin ethshëm ndjeva të villte në prag.
E megjithatë, kaltërsive mbeta fluturuar,
atje, ku më flladit ëmbël i bukuri qiell,
ndaj të them;”Lermë të qetë, o i uruar”,
T’më spërkati rrezja e të vetmit diell.